Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se ka dëgjuar nga “burime të besueshme” se “vrasjet në Iran po ndalen”, ndërsa mijëra njerëz dyshohet se kanë vdekur mes protestave antiqeveritare.
Trump tha gjithashtu se “nuk ka plan për ekzekutime”, një ditë pasi deklaroi se do të kishte “veprime shumë të forta” kundër regjimit iranian nëse ai ekzekuton protestuesit antiqeveritarë të akuzuar, raporton “CBS News“, përcjell KFVA.
“Na është thënë se vrasjet në Iran po ndalen, kanë ndalur, po ndalen,” u tha ai gazetarëve në Zyrën Ovale të mërkurën pasdite.
“Dhe nuk ka plan për ekzekutime apo për një ekzekutim apo ekzekutime. Pra, më është thënë këtë nga burime të besueshme. Do ta zbulojmë”, shtoi Trump.
Trump tha se ky informacion sapo i kishte arritur nga “burime shumë të rëndësishme në anën tjetër”.
“Ata kanë thënë se vrasjet kanë ndalur dhe se ekzekutimet nuk do të ndodhin,” shtoi ai. “Supozohej se sot do të kishte shumë ekzekutime dhe se ato nuk do të ndodhin. Dhe ne do ta zbulojmë.”
Një gazetar e pyeti presidentin nëse kjo do të thotë se opsionet ushtarake tani janë jashtë tryezës.
“Ne do të vëzhgojmë dhe do të shohim se si zhvillohet procesi,” tha Trump.
Trump u ka thënë iranianëve se “ndihma është rrugës”, dhe ndonëse nuk ka shpjeguar se çfarë do të thotë kjo, administrata Trump thotë se presidenti ka një gamë opsionesh në dispozicion, nga sulme ushtarake konvencionale deri te lufta kibernetike.






