Një infermier dhe dy punëtorë të sigurimit fizik janë sulmuar sot në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë.
Oda e Infermierëve të Kosovës ka dënuar këtë sulm ndaj tyre, dhe sqaron se rasti ka ndodhur kur stafi po zbatonte rregullat për kontrollin e hyrjes dhe mbrojtjen e rendit në repart.
Në reagim kërkohet që organet kompetente ta trajtojnë rastin me urgjencë dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
“Oda shpreh shqetësimin e thellë për përsëritjen e rasteve të dhunës ndaj stafit shëndetësor në institucionet publike shëndetësore dhe thekson se sulmet e tilla janë të patolerueshme dhe përbëjnë shkelje të rëndë të ligjit dhe të të drejtave themelore të punëtorëve”, thuhet mes tjerash në reagim.
Reagimi:
Reagim i Odës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor ndaj sulmit në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë
Oda e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor dënon ashpër sulmin fizik të ndodhur sot në Repartin e Ortopedisë të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku gjatë kryerjes së detyrës janë sulmuar një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik.
Ky akt i papranueshëm dhune ka ndodhur pikërisht në momentin kur stafi po zbatonte rregullat institucionale për kontrollin e hyrjes dhe mbrojtjen e rendit në repart, duke rrezikuar seriozisht sigurinë fizike dhe dinjitetin profesional të punëtorëve shëndetësorë.
Oda shpreh shqetësimin e thellë për përsëritjen e rasteve të dhunës ndaj stafit shëndetësor në institucionet publike shëndetësore dhe thekson se sulmet e tilla janë të patolerueshme dhe përbëjnë shkelje të rëndë të ligjit dhe të të drejtave themelore të punëtorëve.
Kërkojmë nga organet kompetente që rasti të trajtohet me urgjencë dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë, ndërsa institucionet shëndetësore dhe ato të sigurisë të marrin masa konkrete për garantimin e sigurisë së stafit në vendin e punës.






