KQZ merr vendim të rinumërohen 914 vendvotime, dhjetë komuna në rinumërim të plotë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që 914 vendvotime të shkojnë në rinumërim, pas gjetjeve nga procesi i verifikimit të votave të kandidatëve.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u prezantua raporti nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2 për qind të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas raportit, më 10 janar 2026 Sekretariati i KQZ-së ka shqyrtuar videoincizimet e kamerave të vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, ku janë evidentuar raste të mospërputhjes së votave për kandidatë. Pas këtyre gjetjeve, Sekretariati ka kryer verifikim të brendshëm të fletëvotimeve në 2 për qind të vendvotimeve, përkatësisht në 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës.

Deri më 12 janar 2026 janë verifikuar 33 vendvotime, ku është konstatuar se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhen me numrin e votave të evidentuara në fletëvotime.

Duke u bazuar në këto gjetje, KQZ ka vendosur që të rinumërohen gjithsej 914 vendvotime në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

Ndërkaq, në 28 komuna të tjera do të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve, përfshirë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se në rast se pas rinumërimit vërtetohen manipulime eventuale me votat e kandidatëve, Komisioni do t’i procedojë rastet në organet kompetente ndaj anëtarëve të ekipeve të numërimit.

Rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të fillojë më 13 janar 2026, në orën 18:00.

  • Shkrime të ngjashme

    Nëse e shihni këtë person, lajmërojeni Policinë

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe kapjen e një personi të dyshuar për vjedhje të rëndë. Kërkesa e Policisë së Kosovës: Kërkesë për bashkëpunim – identifikim e personit të dyshuar Njësiti i Hetimeve të stacionit…

    “Do të jepni llogari para Zotit”- Imami i xhamisë në Gaçkë të Ferizajt habitet pasi i erdhi rryma rreth 700 euro

    Ankesat për çmime të fryra të faturave të energjisë janë shpeshtuar, sidomos në sezonin e dimrit. Një ankesë të tillë e ka pasur edhe imami Ardian Sejdiu, i cili është imam i xhamisë “Koha” në Gaçkë të Ferizajt, i cili…

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *