Altin Ndoci, një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, është arratisur këtë të martë, 13 janar, nga spitali i Durrësit.
Siç ka njoftuar Drejtoria e Burgjeve, 39-vjeçari ishte dërguar në infektivin e spitalit pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore.
“Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në një deklaratë paraprake të Drejtorisë së Burgjeve.
Kamerat e sigurisë tregojnë se ai u arratis nëpërmjet një makine Audi A7, me targë AA700RS, që e priste te parkingu i spitalit.
Në një foto shihet një efektivëve që u përball me Ndocin, kur doli nga spitali. Efektivi mban armë në dorë dhe raportohet se në tentativë për ta ndaluar, qëlloi në ajër.

Forca të shumta policie janë vënë në lëvizje me qëllim kapjen e tij.
I arrestuar e akuzuar për disa vepra të rënda penale, më kryesorja ajo e vrasjes me pagesë, Altin Ndoci ndodhej në qelinë e burgut të Durrësit pas operacionit të Prokurorisë së Posaçme, “Plumbi i Artë”, një operacion i ndarë në dy faza. E para ishte në vitin 2022, ndërsa faza e dytë në vitin 2024. Në këtë rast u zbardhën pesë vrasje dhe u lëshuan mbi 30 urdhër-arreste.
Altin Ndoci akuzohet nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc e Hajdar Çopja. Hetimet për këtë organizatë u mbyllën dhe dosja u çua për gjykim në tetor të 2025-s.
Ndoci akuzohet nga SPAK, pas deklarimeve të të penduarit të drejtesisë Nuredin Dumani si i përfshirë në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, po ashtu armëbajtje pa leje për vepra të kryera në kuadër të grupit kriminal. Më herët Altin Ndoci ka marrë pafajësinë sa i takon pjesëmarrjes në vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës dhe Dorian Shkozës e Angjelo Avdisë.






