Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar pas raportimeve të publikuara në disa media për një të ashtuquajtur “fantazmë” që pretendohet të shëtisë rrugëve të Kosovës, duke i cilësuar ato të pasakta dhe të pa verifikuara.
Sipas KMShK-së, përmbajtjet e tilla janë të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale (AI) dhe nuk bazohen në fakte reale. Institucioni ka bërë të ditur se ka marrë ankesa dhe shqetësime nga qytetarët, pasi këto publikime kanë shkaktuar konfuzion dhe shqetësim në opinion.
Këshilli i bën thirrje mediave që të tregojnë kujdes të shtuar në raportim dhe të verifikojnë çdo përmbajtje përpara publikimit, veçanërisht ato që mund të shkaktojnë panik ose dezinformim te publiku.
KMShK thekson se raportimet duhet të jenë të sakta, profesionale dhe në përputhje me Kodin e Etikës së Gazetarisë, duke shmangur shpërndarjen e materialeve të pavërtetuara ose të manipuluara nga teknologjitë e reja.
“Përgjegjësia mediatike është thelbësore për informimin korrekt të qytetarëve dhe ruajtjen e besimit të publikut,” thuhet në reagimin e KMShK-së.






