Kosovë Kronikë Policore Lajme

Sindikata: Familjeve të policëve të rënë gjatë detyrës nuk u janë ekzekutuar pagesat e dhjetorit – e papranueshme

Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se nuk është kryer pagesa e dhjetorit për familjet e policëve të rënë gjatë detyrës, duke shprehur shqetësim për këtë.

Në njoftim thuhet se Drejtoria e Financave ka bërë kërkesën për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 290 mijë euro, por se nuk janë ekzekutuar ende.

“Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”, theksohet në njoftim.

Sindikata e ka quajtur këtë situatë të papranueshme dhe të dhimbshme për familjet e policëve të rënë.

“Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve”, thuhet tutje.