Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar sot me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes një postimi në Facebook, ambasadori ka thënë se shpreson se në vitin 2026 do ta shoh Kosovën teksa vepron dhe shfrytëzon të gjitha mundësitë politike për t’u kthyer në rrugën e duhur.
“Ne shprehëm shpresën se viti i ri do ta shohë Kosovën duke vepruar me një qëllim të ripërtërirë, duke shfrytëzuar në maksimum mundësitë politike për t’u rikthyer në rrugën e duhur dhe për të arritur përparim drejt së ardhmes së saj euroatlantike, duke përfshirë edhe anëtarësimin në NATO”, ka shkruar ai.
Për takimin ka njoftuar edhe Presidenca e Republikës së Kosovës.
Siç ka njoftuar presidenca e Kosovës, në këtë takim është folur për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe për procesin e themelimit të institucioneve të reja, gjë për të cilën Osmani ka shprehur pritjen e saj për formim sa më të shpejt.
“Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, si dhe procesi i zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor, të cilat u zhvilluan sipas standardeve më të larta demokratike. Në këtë frymë, Presidentja ritheksoi rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve”, ka njoftuar Presidenca.
Sipas njoftimit në takim po ashtu u diskutua edhe për hapat tutje drejt finalizimit të iniciativës së Presidentes për lidhjen e marrëveshjeve strategjike me Mbretërinë e Bashkuar në fushat e interesit të përbashkët, respektivisht atë të mbrojtjes, sigurisë, si dhe ekonomisë e tregtisë, për ç’gjë ishin dakorduar gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik në Kosovë në prill të vitit të kaluar.






