ShBA-ja këmbëngul për Grenlandën, Rubio pritet të takohet me udhëheqësit e Danimarkës javën e ardhshme

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka deklaruar se javën e ardhshme do të takohet me udhëheqësit e Danimarkës, por sinjalizoi se nuk ka asnjë tërheqje nga synimi i presidentit Donald Trump për të marrë nën kontroll Grenlandën.

Një operacion ushtarak amerikan gjatë fundjavës, që çoi në kapjen e udhëheqësit të Venezuelës, ka ringjallur shqetësimet për qëllimet e SHBA-së ndaj Grenlandës, dhe zyrtarët amerikanë kanë bërë pak për t’i qetësuar këto frikëra.

Rubio u tha gazetarëve se Trump ruan mundësinë për ta realizuar këtë objektiv edhe me mjete ushtarake. Megjithatë, “si diplomat, që jam tani, dhe siç veprojmë zakonisht, ne gjithmonë preferojmë ta zgjidhim në mënyra të tjera – ashtu siç ndodhi edhe në Venezuelë”, tha ai, kur u pyet nëse SHBA-ja ishte e gatshme të rrezikonte aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja, NATO-n, përmes një marrjeje me forcë të Grenlandës.

Një ndërhyrje ushtarake amerikane për të marrë ishullin arktik të pasur me minerale nga Danimarka, një aleate e vjetër, do të trondiste NATO-n dhe do ta thellonte përçarjen mes Trumpit dhe udhëheqësve evropianë.

Kjo ka nxitur edhe reagime në Kongresin amerikan, ku senatorë demokratë dhe republikanë thanë të mërkurën se presin që Senati, në fund, të votojë për një legjislacion që synon të kufizojë aftësinë e Trumpit për të tentuar marrjen e Groenlandës.

Grenlanda ndodhet në një pozicion strategjik mes Evropës dhe Amerikës së Veriut, duke qenë për dekada një pikë kyçe për sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat balistike. Pasuria e saj minerare përputhet gjithashtu me ambicien e Washingtonit për të ulur varësinë nga Kina.

Trump e hodhi për herë të parë idenë e marrjes nën kontroll të Groenlandës në vitin 2019, gjatë presidencës së tij të parë. Ai argumenton se ishulli është thelbësor për strategjinë ushtarake të SHBA-së dhe se Danimarka nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur, ndonëse dy marrëveshje – njëra e nënshkruar në vitin 1951 dhe tjetra në 2023 – i japin ushtrisë amerikane pothuajse qasje të pakufizuar në ishull.

  • Shkrime të ngjashme

    Aksident fatal në rrugën Komoran-Carralevë, një i vdekur e katër të lënduar

    Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë. Një person ka vdekur e katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.…

    E zhdukur prej tetorit në Itali, gjendet trupi i pajetë i 35-vjeçares shqiptare: Ishte 40 kilometra larg shtëpisë

    Ishte zhdukur më 22 tetor, pasi ishte parë për herë të fundit në qendër të qytetit. Sot, të enjten më 15 janar, erdhi lajmi tragjik. Trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35 vjeçe, banore në Trento, u gjet rreth 40…

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *