Borë dhe ngrica, apelohet për kujdes gjatë vozitjes

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se do të ketë ndryshim të theksuar të kushteve meteorologjike, duke paralajmëruar rënie të ndjeshme të temperaturave dhe reshje bore në pjesë të ndryshme të vendit.

IHK ka njoftuar se era do të ndryshojë drejtimin, duke kaluar nga juglindja në veri dhe veriperëndim, çka do të favorizojë depërtimin e masave ajrore të ftohta me origjinë veriore.

Instituti tutje ka paralajmëruar se temperaturat minimale do të zbresin nën zero gradë Celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për formimin e ngricave në rrugë, trotuare, ura dhe zona me lagështi të lartë.

“Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor. Vështirësi më të theksuara në komunikacion pritet të ketë në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ku mund të ndodhin rrëshqitje dhe ngrirje e shpejtë e sipërfaqeve rrugore.

Për këtë arsye, IHMK rekomandon që autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve të jenë në gatishmëri të shtuar, ndërsa qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik të përdorin pajisje dimërore, të respektojnë distancën e sigurisë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës”, thuhet në njoftim.

Instituti thekson më tej se këto kushte meteorologjike mund të kenë ndikim edhe në sektorë të tjerë, përfshirë bujqësinë, furnizimin me energji elektrike dhe aktivitetet e përditshme të qytetarëve, duke këshilluar ndjekjen e vazhdueshme të paralajmërimeve zyrtare dhe marrjen e masave parandaluese për sigurinë personale dhe mbrojtjen e pronës.

Ndërkaq, edhe Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë ngasjes, si pasojë e ndryshimit të kushteve atmosferike dhe reshjeve të shiut e borës në disa pjesë të vendit.

Në njoftimin e saj, Policia thekson se kushtet aktuale krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor dhe rrisin rrezikun për aksidente, veçanërisht për shkak të rrugëve të lagura, të mbuluara me borë dhe mundësisë së paraqitjes së ngricave.

Autoritetet u bëjnë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik, në veçanti drejtuesve të automjeteve, që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, të mbajnë distancën e sigurisë mes mjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen në segmentet rrugore me shi, borë apo akull.

Po ashtu, Policia e Kosovës këshillon shoferët që të pajisen me goma dhe pajisje dimërore, duke theksuar se respektimi i këtyre masave është i domosdoshëm për sigurinë në trafik.

“Siguria juaj është prioritet. Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe në ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *