Trump bllokon mbi 10 miliardë dollarë fonde për kujdesin ndaj fëmijëve dhe asistencën familjare për 5 shtete të ShBA-së

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po ndalon shpërndarjen e mbi 10 miliardë dollarëve fonde federale për kujdesin ndaj fëmijëve dhe mbështetjen familjare në shtetet California, Colorado, Illinois, Minnesota dhe New York, sipas Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), duke përmendur shqetësime për mashtrim dhe keqpërdorim të fondeve, përcjell KFVA.

Qeveria Trump ka kërcënuar më parë me shkurtim të fondeve federale për organizata dhe shtete mbi një sërë çështjesh që nga marrja e detyrës – duke filluar nga mashtrime të dyshuara në programe të shteteve të udhëhequra nga demokratët, deri te iniciativa për diversitet dhe protestat universitare pro-palestineze kundër sulmit të Izraelit ndaj Gazës.

Të martën, HHS njoftoi se i kishte informuar pesë shtetet, të gjitha me guvernatorë demokratë, se bllokimi prekte fondin “Child Care and Development Fund” prej 2.4 miliardë dollarësh, “Temporary Assistance for Needy Families” prej 7.35 miliardë dollarësh dhe “Social Services Block Grant” prej 869 milionë dollarësh.

Në një deklaratë, departamenti i shtetit tha se qasja e shteteve tek këto fonde do të ishte e kufizuar derisa të përfundonte shqyrtimi i mëtejshëm.

Demokratët e kanë dënuar këtë vendim.

“Fëmijët tanë nuk duhet të jenë pengje politike në një përplasje që duket se Donald Trump po e ka me guvernatorët e shteteve demokratike” tha guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul, duke e cilësuar hapin “hakmarrës” dhe “të egër”. Guvernatori i Illinois, JB Pritzker, gjithashtu e përshkroi si “të gabuar dhe mizor.”

Zyra e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se që nga marrja e detyrës, Newsom ka bllokuar mbi 125 miliardë dollarë për mashtrime.

Në javët e fundit, administrata Trump ka vënë në shënjestër Minnesotan, duke pretenduar se imigrantët kryejnë mashtrime të përhapura në sistemin e asistencës sociale dhe programe të shërbimeve sociale.

Zyrtarët e administratës kanë kritikuar shpesh dhe me ashpërsi komunitetin Somali në këtë shtet, më i madhi në vend, si dhe guvernatorin e Minnesotas, Tim Walz – kandidatin demokrat për nënpresident në vitin 2024 – dhe përfaqësuesen demokrate Ilhan Omar, një amerikane me origjinë somaleze që përfaqëson një distrikt të Minneapolis në Kongres.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se administrata Trump po përdor hetimet për mashtrim si një justifikim për të sulmuar imigrantët dhe kundërshtarët politikë në mënyrë më të gjerë.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *