Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka dalë me raport për nivelin e ujit në lumenjtë e Kosovës pas reshjeve të shiut të cilat shkaktuan vërshime në disa komuna të Kosovës, sipas të cilit nga e hëna në të martën në Kosovë kanë rënë mesatarisht 43mm reshje në një metër katror.
Në raport thuhet se sasia e reshjeve sipas pellgjeve lumore më së shumti ka arritur në Drinin e Bardhë me 76.2mm, Ibri 27.8mm, Morava e Binçës 19.9mm dhe Lepenci 47.9mm.
Sipas IHMK-së, shumica e lumenjve në Kosovë, e sidomos ata në pjesën Perëndimore dhe qendrore të vendit, gjatë këtyre dy ditëve kanë pësuar ngritje, ku disa prej tyre në disa segmente, kanë dalë nga shtrati i tyre dhe kanë shkaktuar përmbytje lokale.
“Situata më e vështirësuar paraqitet në lumenjtë: Drini i Bardhë, Ereniku, Bistria e Deçanit, Toplluha, Klina, Mirusha, Lumi Drenica, Lumi Istogut. Lumenjtë në lindje dhe jug të vendit si Ibri, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci, Nerodimja aktualisht kanë ngritje të lehtë të niveleve dhe nuk paraqesin problem”, thuhet në raport.
Reshje shiu priten edhe sot në vend, e që sipas Institutit do ta vështirësojnë edhe më shumë situatën.
“Reshje, pritet edhe gjatë natës dhe ditës së nesërme, të cilat do ta vështërsojnë edhe më shumë situatën e krijuar”, theksohet në raportin e publikuar mbrëmë nga IHMK.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se rajonet më të prekura nga vërshimet janë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaj dhe Gjakova, me vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara.






