Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Klinë), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale.
Situatë e rënduar nga reshjet është në komunën e Drenasit, ku disa rrugë tashmë janë të pakalueshme. Siç ka njoftuar komuna, uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë të pakalueshme. Disa familje janë evakuar nga rreziku i vërshimeve, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë.
Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin daljet e panevojshme.
“Komuna e Drenasit njofton se si pasojë e reshjeve të dendura dhe vërshimeve, përgjatë lumit Drenica, uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë të pakalueshme. Disa familje janë evakuar nga rreziku i vërshimeve, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë.
Rruga nga Drenasi drejt Komoranit, te “Trafoja” është bllokuar, rruga e Feronikelit drejt Kronit të Mbretit është po ashtu e bllokuar. Niveli i lartë i ujit shfaqet edhe në Komoran, Çikatovë të vjetër dhe në lagje të komunës.
Kalimi nga qyteti i Drenasit për magjistrale bëhet nëpër Shtrubullovë-Krajkovë-Llapushnik, dhe alternativa tjetër, Drenas-Damanek-Krajkovë-Llapushnik.
Për arsye sigurie, ftohen qytetarët që të mos dalin nga shtëpitë pa nevojë dhe të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara, derisa gjendja të stabilizohet”, thuhet në njoftimin e komunës.






