Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Klinë), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale.
Shumë fshatra të Gjakovës janë përfshirë nga uji, i cili ka shkaktuar edhe vështirësi në qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve.
Në Malishevë, shira të pandërprerë gjatë 24 orëve të fundit kanë përmbytur disa zona po ashtu, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Komuna u ka bërë apel qytetarëve për kujdes të shtuar, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera të shiut që kanë përfshirë territorin e komunës.
Ata kanë bërë thirrje tek qytetarët që të mos dalin pa nevojë.
“Shtabi Emergjent për menaxhimin e situatave emergjente u bën apel të gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës që të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera.“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative.”
Të gjitha ekipet emergjente janë në terren dhe po angazhohen intensivisht për menaxhimin e situatës”, thuhet në njoftimin e komunës.
Situatë e rënduar me vërshimet është edhe në Skenderaj.
Kryetari i Komunës, Sami Lushtaku ka shkruar se reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh.
“Ekipet emergjente të zjarrfikësve që nga mesnata janë të angazhuara në terren dhe po përcjellin situatën me kujdes të shtuar. Në bashkëpunim me të gjitha ekipet e emergjencave në kuadër të komunës, do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve për tu përballur së bashku me këtë situate”, ka shkruar ai në Facebook.
Nga përmbytjet janë përfshirë edhe shumë fshatra të Rahovecit.
Gjendje më rënduar paraqitet në Hoçë të Vogël, fshatin Fortesë e Ratkoc.
Ministri në detyrë i Transportit, Hysen Durmishi, ka njoftuar qytetarët se autoritetet janë në gjendje gatishmërie për menaxhimin e reshjeve të shiut, të cilat kanë ndikuar në disa rrugë të vendit.
“Që nga mbrëmë jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar sa më mirë reshjet e shiut, të cilat kanë ndikuar edhe në disa nga rrugët tona. Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjmë kudo që është e mundur për të përmirësuar kushtet e qarkullimit”, ka shkruar ministri Durmishi.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët: “Na duhet edhe bashkëpunimi juaj, ju lusim të vozitni me kujdes të shtuar dhe t’u përshtateni kushteve të rrugës”.
Ministri ka theksuar se punonjësit e mirëmbajtjes po monitorojnë vazhdimisht rrugët dhe do të ndërhyjnë në çdo vend ku nevojitet për të siguruar qarkullim të sigurt për të gjithë drejtuesit e automjeteve.
Reshjet e shiut është paralajmëruar se do të vazhdojnë edhe në orët në vijim. Më të theksuara parashihet të jenë në perëndim të vendit.






