Malisheva shpall gjendje të jashtëzakonshme

Kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, ka njoftuar se është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në këtë komunë pas vërshimeve që ndodhën sot atje.

“Që nga orët e mesnatës, Komuna jonë po përballet me një situatë të rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit tonë. Si Kryetar i Komunës, që nga momentet e para jam në terren bashkë me ekipet emergjente të shpëtimit, strukturat komunale, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke koordinuar veprimet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve”, ka deklaruar ai.

Kastrati theksoi se fatkeqësisht, vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, rrugë, prona private, toka bujqësore dhe objekte të ndryshme, duke krijuar vështirësi serioze për shumë familje.

“Për këtë situatë të rëndë, shpreh keqardhjen time më të thellë dhe solidaritetin e plotë me të gjithë qytetarët e prekur. Dua të falënderoj të gjitha ekipet emergjente, zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe vullnetarët, të cilët pa u lodhur, në kushte të vështira dhe me përkushtim të lartë profesional, janë duke punuar pa ndërprerë për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës aty ku ka nevojë”, theksoi Kastrati.

Kreu i Malishevës, iu bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat e rrezikuara, të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren.

“Komuna e Malishevës do të vazhdojë të jetë në gatishmëri të plotë derisa situata të stabilizohet dhe më pas do të angazhohemi maksimalisht për vlerësimin e dëmeve dhe përkrahjen e familjeve të prekura”, shtoi kreu i Malishevës./

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *