Botë Lajme

Pas sulmit ndaj Venezuelës, Trump përsërit kërcënimet për të marrë Grenlandën

Një ditë pas rrëzimit të udhëheqësit të Venezuelës dhe deklaratave se ShBA-ja do ta drejtojnë vendin, presidenti Donald Trump përsëriti dëshirën e tij për të marrë Grenlandën.

“Na duhet Grenlanda… Është jashtëzakonisht strategjike tani. Grenlanda është e mbuluar gjithandej me anije ruse dhe kineze. Na duhet Grenlanda nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë”, u tha Trump gazetarëve të dielën mbrëma, përcjell Reporteri.net.

Ai shtoi se “Bashkimi Evropian ka nevojë që ne ta kemi atë, dhe ata e dinë këtë”.

Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se dëshiron ta aneksojë Grenlandën — një ishull gjigant, i pasur me burime, në Atlantik, që është territor vetëqeverisës i Danimarkës.

Ai i tha gjithashtu deklaroi të dielën se marrja e Grenlandës është e domosdoshme për mbrojtjen e SHBA-së.

“Na duhet Grenlanda, absolutisht. Na duhet për mbrojtje”, tha Trump.

Këto komente erdhën një ditë pasi Katie Miller, aleate e Trumpit dhe bashkëshortja e zëvendësshefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë për politika, Stephen Miller, publikoi një imazh të hartës së Grenlandës të mbuluar me flamurin amerikan, duke shkruar: “SË SHPEJTI”.

Si Grenlanda ashtu edhe Danimarka, aleate e SHBA-së në NATO, e kundërshtojnë fuqishëm këtë ide. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen e hodhi poshtë kategorikisht të dielën idenë se SHBA-ja mund të marrë nën kontroll Grenlandën.

“Duhet t’ia them shumë drejtpërdrejt Shteteve të Bashkuara: Nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flitet për domosdoshmërinë që SHBA-ja të marrë Grenlandën. SHBA-ja nuk ka asnjë të drejtë të aneksojë një nga tre vendet e Mbretërisë së Danimarkës”.

Frederiksen theksoi se Kopenhaga tashmë ka një marrëveshje mbrojtjeje me Uashingtonin, e cila i jep SHBA-së qasje të gjerë në Grenlandë.