Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, deklaroi të hënën se Donald Trump duhet të merret seriozisht kur thotë se dëshiron të blejë Groenlandën, por përsëriti se ishulli nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të blerë Groenlandën dhe i tha revistës The Atlantic të dielën: “Ne kemi nevojë për Groenlandën, na duhet për mbrojtje”.
“Fatkeqësisht, mendoj se presidenti amerikan duhet të merret seriozisht kur thotë se dëshiron Groenlandën,” tha Frederiksen për transmetuesin publik DR të hënën. “E kam bërë të qartë qëndrimin e Danimarkës dhe Groenlanda ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron të jetë pjesë e SHBA-së.”
Në intervistën e saj, Frederiksen e përshkroi presionin e Trump mbi Danimarkën dhe Groenlandën si “të papranueshëm” dhe vuri në dukje mbështetjen e vazhdueshme nga partnerët evropianë. Ajo shtoi gjithashtu: “Nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë një vend tjetër të NATO-s, gjithçka ndalet.”
Trump emëroi muajin e kaluar Guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar të posaçëm në Groenlandë. Landry ka shprehur publikisht mbështetje për integrimin e Groenlandës në Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm gjerman, Johannes Vandeful, tha se Groenlanda i përket Danimarkës dhe sugjeroi se NATO mund të diskutojë forcimin e mbrojtjes së saj nëse është e nevojshme.
Franca theksoi se Groenlanda i përket popullit të saj, ndërsa një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbrojë parimin e sovranitetit kombëtar.






