Presidenti Donald Trump të shtunën tha se SHBA-ja do të marrë kontrollin mbi rezervat masive të naftës së Venezuelës dhe do të angazhojë kompani amerikane për të investuar miliarda dollarë në rindërtimin e industrisë së naftës, e cila është shkatërruar gati tërësisht.
Venezuela ka rreth 303 miliardë fuçi naftë të papërpunuar, që përbën rreth një të pestën e rezervave globale sipas Administratës Amerikane të Informacionit të Energjisë (EIA).
Një rinovim i drejtuar nga SHBA-ja mund ta bëjë Venezuelën një furnizues shumë më të madh të naftës, duke krijuar mundësi për kompanitë perëndimore të naftës dhe duke shërbyer si një burim i ri prodhimi.
Kjo mund të ndihmojë edhe në mbajtjen nën kontroll të çmimeve globale, edhe pse çmimet më të ulëta mund të mos motivojnë disa kompani amerikane të prodhojnë naftë.
Nafta që ka Venezuela — e rëndë dhe me squfur të lartë — kërkon pajisje speciale dhe aftësi teknike të avancuara për t’u përpunuar.
SHBA-ja, prodhuesi më i madh i naftës në botë, ka naftë të lehtë dhe të mirë, që shkon mirë për benzinë, por jo për shumë produkte të tjera. Nafta e rëndë dhe squfur të lartë nga Venezuela është e domosdoshme për disa produkte të rafinerive, përfshirë diesel, asfalt dhe karburante për fabrika dhe pajisje të rënda.
Shfrytëzimi i naftës venezueliane mund të jetë veçanërisht i dobishëm për SHBA-në: vendi është afër dhe nafta është relativisht e lirë.
Venezuela ka rezervën më të madhe të provuar të naftës në botë, por potenciali i saj është shumë më i madh se prodhimi aktual: vendi prodhon vetëm rreth 1 milion fuçi naftë në ditë, që përbën vetëm 0.8% të prodhimit global.
Sanksionet ndërkombëtare ndaj qeverisë venezueliane dhe kriza e thellë ekonomike kanë kontribuar në rënien e industrisë së naftës, por edhe mungesa e investimeve dhe mirëmbajtjes ka pasur ndikim, sipas EIA-s.





