Sulmi amerikan në Venezuelë dhe kapja e Maduros – krejt çka dihet deri tani

Presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një “sulm në shkallë të gjerë” kundër Venezuelës në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Trump në një deklaratë në rrjetin e tij social Truth Social njoftoi se Nicolas Maduro, është kapur dhe është larguar me avion nga vendi së bashku me gruan e tij.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, Presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me gruan e tij, është kapur dhe është larguar me aeroplan nga vendi”.

“Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e ligjit të SHBA-së. Detajet do të vijojnë më poshtë. Do të ketë një konferencë për shtyp sot në orën 11:00 të paradites, në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! President DONALD J. TRUMP”, ka shkruar Trump në Truth Social.

Operacionin për kapjen e Maduros e ka kryer njësia Delta Force e ushtrisë amerikane, kanë thënë zyrtarë për partnerin amerikan të BBC-së, CBS News.

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, ka shkruar se Maduro nuk është president i Venezuelës dhe se regjimi i tij s’është qeveri legjitime.

Ai ka thënë se Maduro është kreu i kartelit narkoterroriste Los soles dhe se akuzohet edhe për trafikim të drogës drejt SHBA-së.

“Maduro NUK është presidenti i Venezuelës dhe regjimi i tij NUK është qeveria legjitime. Maduro është kreu i Kartelit të Los Soles, një organizatë narkoterroriste që ka marrë nën kontroll një shtet. Ai gjithashtu është i paditur për trafikim të drogës drejt Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Rubio.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas ka reaguar pas sulmit të ShBA-së në Venezuelë.

Kallas përmes një postimi në X, ka shkruar se ka biseduar me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, duke shtuar se Bashkimi Evropian po monitoron nga afër situatën në Venezuelë.

“Kam folur me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Ambasadorin tonë në Karakas. BE-ja po e monitoron nga afër situatën në Venezuelë”, ka shkruar ajo.

Ajo ndër të tjera shtoi se BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se zotit Maduro i mungon legjitimiteti dhe ka mbrojtur një tranzicion paqësor.

Tutje, ajo bëri thirrje për përmbajtje, teksa theksoi se siguria e qytetarëve të BE-së në Venezuelë është përparësia kryesore e tyre.

“BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se zotit Maduro i mungon legjitimiteti dhe ka mbrojtur një tranzicion paqësor. Në të gjitha rrethanat, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës ka njoftuar vendosjen e menjëhershme të forcave ushtarake në të gjithë vendin.

Duke folur në spanjisht në një mesazh video, Vladimir Padrino López bëri thirrje për një front të bashkuar rezistence përballë “agresionit më të madh” kundër Venezuelës, duke shtuar se vendi po ndiqte “urdhrat e Maduros” që të gjitha forcat e armatosura do të vendosen në gatishmëri.

“Na kanë sulmuar, por nuk do të na nënshtrojnë,” tha ministri i Mbrojtjes.

Për sulmin amerikan në Venezuelë ka reaguar dhe nga Rusia.

Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë të lëshuar për ngjarjet e sotme në Venezuelë ka deklaruar se “Këtë mëngjes, SHBA-të kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Ky zhvillim shkakton shqetësim të thellë dhe meriton dënim”/

“Pretekstet e përdorura për të justifikuar këto veprime janë të paqëndrueshme. Armiqësia e ideologjizuar ka mbizotëruar ndaj angazhimit pragmatik, si edhe ndaj çdo gatishmërie për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe parashikueshmëri. Ne nisemi nga mirëkuptimi se të gjitha palët që mund të kenë ankesa kundër njëra-tjetrës duhet të kërkojnë zgjidhje përmes mekanizmave të bazuar në dialog. Ne jemi të gatshëm të mbështesim përpjekje të tilla. Amerika Latine duhet të mbetet një zonë paqeje, siç e shpalli veten në vitin 2014. Venezuelës duhet t’i garantohet e drejta për të përcaktuar fatin e saj, e lirë nga çdo ndërhyrje e jashtme shkatërruese – e lëre më ushtarake”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Rusisë.

Ndërkaq, ende nuk dihet ku ndodhet Maduro dhe gruaja e tij. Poashtu nuk ka të dhëna nëse ka persona të vdekur apo të plagosur pas sulmit në Venezuelë. 

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *