Kosovë Kronikë Policore Lajme

18 vrasje brenda një viti, këto janë disa nga rastet që tronditën vendin

Gjatë vitit 2025, në Kosovë u regjistruan gjithsej 18 vrasje.

Ndër rastet më tronditëse ishte vrasja e dyfishtë në Malishevë, ku një konflikt mes familjarëve përfundoi me vrasjen e dy vëllezërve nga dhëndri i tyre.

Rajoni i Vushtrrisë u godit nga dy tragjedi brenda vetëm 48 orëve: fillimisht vrasja e një 19-vjeçari pas një konflikti mes të rinjve dhe më pas një rast i rëndë i dhunës me bazë gjinore, ku një burrë vrau një grua dhe më pas kreu vetëvrasje.

Një tjetër krim i rëndë ndodhi në Gjilan, ku në mes të ditës, në një kafene, u vranë tre persona, përfshirë babë e bir. Hetimet e lidhën rastin me rrjetet e fajdeve.

Në gusht, Prishtina u trondit nga vrasja e Muhamet Matoshit në Hajvali.

Autorësia e këtij krimi i mbeti Xhemajl Nuhiut, i cili pas një arratie disamujore, u arrestua në tetor të vitit 2025 në Londër, falë bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe Interpol-it.

Një tjetër rast i ngjashëm ndodhi në Komoran, ku Astrit Isufi dyshohet se privoi nga jeta dy vëllezërit e bashkëshortes së tij, Blerim dhe Bahri Hoxhën.

Motivet e këtij krimi dyshohet se lidheshin me konflikte të mëhershme familjare, duke e çuar numrin e vrasjeve të shumëfishta brenda vitit në një nivel alarmant.