Kosovë Lajme Politikë

Numërimi i votave të rregullta drejt fundit, Kurti afër thyerjes së rekordit të tij të 9 shkurtit

Janë numëruar mbi 91 përqind e votave të kandidatëve për deputetë. KQZ po vazhdon të bëjë përditësimin e të dhënave  nga 2,344 vendvotime  të procesuara prej 2,557 sa janë gjithsej.

Në këtë fazë të numërimit, Albin Kurti i Vetëvendosjes ka arritur të grumbullojë 320,299 vota. Kurti është afër të thyejë rekordin e tij si politikani më i votuar në Kosovë.

Kurti, në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit  fitoi 337.791 vota, duke thyer rekordin e deriatëhershëm të presidentes Vjosa Osmani (300.756 vota).

Ai tani është afër të thyejë rekordin e tij që e kishte vendosur në zgjedhjet e kaluara të 9 shkurtit.

Në listën e VV-së, Kurti pasohet nga Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla-Schwarz e Xhelal Sveçla.

Edhe në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) po vazhdon e njëjta renditje e kandidatëve. Bedri Hamza prin bindshëm me  143,342 Vota, pasuar nga Arian Tahiri me 63, 563Vota, Përparim Gruda, Uran Ismaili e Sala Jashari.

Në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kryeson Lumir Abdixhiku me 72,320 Vota, pasuar nga Hykmete Bajrami me 45,161 Vota, Ukë Rugova, Avdullah Hoti e Doarca Kica-Xhelili.

Sipas të dhënave paraprake, LVV-ja do t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe 9 dhe AAK-ja 6.