Në grupet sociale të hebrenjve të New York-ut qarkullon imazhi i kryebashkiakut të ri, Zohran Mamdani, i veshur me një bluzë të kuqe ku shkruhet “Bojkoto Izraelin”. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e qeverisë së Netanyahut e ka akuzuar kryebashkiakun e parë mysliman në historinë e New York-ut se ka hedhur “benzinë antisemite mbi një zjarr tashmë të ndezur”, pas vendimit për të anuluar “urdhrat ekzekutivë” të firmosur nga paraardhësi i tij, Eric Adams.
Ministria e Jashtme izraelite ka shkruar në rrjetin social X se: “Në ditën e tij të parë si kryebashkiak, Mamdani tregoi fytyrën e vërtetë: eliminoi përkufizimin e antisemitizmit të Ihra-s dhe hoqi kufizimet ndaj bojkotit të Izraelit. Kjo nuk është udhëheqje.”
La Repubblica shkruan se Mamdani ka revokuar një urdhër të Adams që kishte miratuar përkufizimin e antisemitizmit të International Holocaust Remembrance Alliance, i cili përfshinte akuzën për antisemitizëm edhe në rast kritikash ndaj Izraelit, një masë e adoptuar në shumë pjesë të Shteteve të Bashkuara.
Në fakt, Mamdani ka firmosur një urdhër për të anuluar të gjitha aktet ekzekutive të lëshuara nga Adams pas 26 shtatorit të vitit 2024, kur ai ishte akuzuar për korrupsion, akuzë që më pas u rrëzua pas një marrëveshjeje të kontestuar mes kryebashkiakut dhe qeverisë së Trump-it.
Stafi i Mamdani-t ka shpjeguar se vendimi u mor për të “shënuar një fillim të ri”. Një nga urdhrat e anuluar ndalonte zyrtarët që mbikëqyrnin sistemin e pensioneve bashkiake të merrnin vendime që mund të parashikonin bojkotin dhe tërheqjen e investimeve ndaj Izraelit.
Një urdhër tjetër ngarkonte shefen e policisë, Jessica Tisch (e besimit hebre), e konfirmuar në detyrë nga kryebashkiaku i ri, të vlerësonte propozime për rregullimin e protestave pranë vendeve të kultit. Ky urdhër ishte lëshuar pas protestave para një sinagoge në Upper East Side, por sipas disa vëzhguesve ishte firmosur për të vënë në vështirësi pasardhësin e Adams.
Në mesazhin e tij inaugurues, Mamdani ka tentuar të qetësojë komunitetin hebre: “Ku mund të rritej një djalë mysliman si unë duke ngrënë simite dhe salmon çdo të diel?”, duke iu referuar dy ushqimeve tradicionale ashkenazite, bukës në formë unaze dhe salmonit të konservuar në kripë. Mamdani ka dërguar mesazhe përfshirjeje: ai bëri betimin mbi Kuran gjatë një ceremonie të drejtuar nga senatori hebre i Vermontit, Bernie Sanders, dhe ftoi liderë të komunitetit hebre që nuk e kishin mbështetur.
“Disa e shohin këtë administratë me mosbesim ose përçmim, tha ai, dhe megjithëse vetëm faktet mund të ndryshojnë opinionet, ju premtoj këtë: nëse jeni banorë të New York-ut, unë do të jem kryebashkiaku juaj.” Mamdani ka njoftuar se zyra e krijuar së fundmi për të luftuar urrejtjen ndaj hebrenjve do të mbetet aktive. “Është një çështje që e marrim shumë seriozisht, nuk ka vend për antisemitizëm në qytetin tonë,” tha ai.






