Botë Lajme

Shpërthim në një qendër për ski ku po festohej Viti i Ri në Zvicër, disa të vdekur

Disa persona kanë mbetur të vdekur dhe të tjerë janë plagosur në një shpërthim në një bar në resortin zviceran të skive Crans-Montana, tha policia.

Shpërthimi ndodhi në orën 01:30 sipas kohës lokale në Barin Constellation, tha policia për BBC-në.

Pamjet e paverifikuara që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë një zjarr në një bar ku po zhvillohej një festë e Vitit të Ri.

Edhe pse policia thotë se shkaku i shpërthimit është i panjohur, gazeta zvicerane Blick sugjeron se zjarri mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarrët gjatë koncertit.

Policia tha se ishte ngritur një linjë telefonike për të ndihmuar familjet e të prekurve. Në kohën e shpërthimit në bar ndodheshin rreth 100 persona.

Disa helikopterë janë mobilizuar për të transportuar të plagosurit. Dëshmitarët okularë i thanë gazetës zvicerane Walliser Bote se kishte një numër të madh ambulancash në rrugën nga Sioni në Crans-Montana.

Raportime të pakonfirmuara, të raportuara nga Blick , sugjerojnë se shkaku i shpërthimit mund të jenë piroteknikat. Policia ende nuk ka publikuar asnjë informacion.

Crans-Montana është një vendpushim luksoz skish i vendosur në zemër të Alpeve Zvicerane, afërsisht dy orë larg kryeqytetit zviceran, Bernës.