Gjykata Supreme e ka rrëzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Penlit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me përdorimin e pasurisë publike dhe pjesëmarrjen e zyrtarëve publikë gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, duke i refuzuar pretendimet si të pathemelta dhe jo të qëndrueshme.
Sipas Supremes, PZAP vendimin e ka bazuar në prova konkrete, të qarta dhe ekzistuese.
“… gjatë shqyrtimit të provave gjegjësisht nga hulumtimi dhe verifikimi në llogarinë e rrjetit social Facebook, PZAP ka vërtetuar faktin se kandidatët e subjektit politik ankues: Arbërie Nagavci, Hysen Durmishi, Arben Vitia, Albulena Haxhiu dhe Hajrulla Ceko, kanë promovuar aktivitetet e tyre gjatë fushatës zgjedhore, duke shfaqur logon dhe numrin zgjedhor të subjektit politik lëvizja Vetëvendosje, në hapësirat publike, përkatësisht në: Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës si dhe Urën në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Gjykatë ka konstatuar se gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe nuk është shkelur ligji në dëm të parashtruesit të ankesës.
PZAP e ka gjobitur VV’në me 6 mijë euro për këtë shkelje./Reporteri.net






