Rusia thotë se ka vendosur sistem raketor me kapacitet bërthamor në Bjellorusi

Rusia tha se sistemi i saj më i ri i raketave me kapacitet bërthamor është dislokuar në Bjellorusi, një ditë pasi Moska pretendoi se Ukraina kishte kryer një sulm të madh me dronë ndaj rezidencës së Vladimir Putinit.

Pamjet e publikuara nga ministria ruse e mbrojtjes treguan raketën e re Oreshnik duke lëvizur nëpër një pyll të mbuluar me borë. Ushtarët u panë duke kamufluar mjetet luftarake me rrjeta jeshile dhe duke ngritur një flamur në një bazë ajrore në lindje të Bjellorusisë, pranë kufirit me Rusinë.

Videoja u duk si pjesë e një përpjekjeje të orkestruar për të frikësuar Evropën dhe për të përgatitur rusët për një përshkallëzim të mëtejshëm në luftën tashmë brutale kundër Ukrainës, raporton The Guardian.

Dislokimi, nëse është i vërtetë, do ta ulte simbolikisht kohën që do t’i duhej një rakete ruse për të goditur një kryeqytet të BE-së.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, tha se 10 sisteme Oreshnik do të stacionoheshin në vendin e tij. Putin njoftoi se ato po hynin në shërbim aktiv në një takim të hënën me gjeneralët e tij, ku riafirmoi synimin për të pushtuar më shumë territor ukrainas, përfshirë qytetin jugor Zaporizhzhia.

Më herët, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi se do të kryheshin “hakmarrje” kundër Kievit dhe se objektivat tashmë ishin përgatitur. Këto deklarata pasuan atë që ai e quajti një sulm të së dielës mbrëma, që përfshinte 91 dronë ukrainas ndaj pallatit të presidentit rus në rajonin e Novgorodit.

Kremlini nuk ka paraqitur prova për të mbështetur akuzat e tij. Dmitry Peskov, zëdhënësi i Vladimir Putinit, tha të martën se nuk do të ofrohej asnjë provë pasi të gjitha raketat ishin rrëzuar. Ai tha se nuk mund të komentonte mungesën e mbetjeve.

Banorët e zonës thanë se nuk kishin dëgjuar shpërthime apo zhurmë të zjarrit kundërajror, sipas medias së pavarur ruse Sota. Nuk u lëshua asnjë alarm ajror dhe nuk u shpërndanë në internet video nga telefonat që të tregonin tym dhe flakë, një tipar i zakonshëm i goditjeve të konfirmuara.

Të martën, ministri i jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se Rusia e kishte trilluar historinë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera ta injoronin atë. “Kaloi pothuajse një ditë dhe Rusia ende nuk ka ofruar asnjë provë të besueshme për akuzat e saj. Dhe nuk do ta bëjë. Sepse nuk ka. Një sulm i tillë nuk ka ndodhur,” shkroi ai në X.

  • Shkrime të ngjashme

    Faton Peci emëron nënkryetar të Mitrovicës të dënuarin për vjedhje të votave

    Komuna e Mitrovicës është bërë me nënkryetar të ri. Me propozim të kryetarit Faton Peci, në këtë pozitë është emëruar Enis Osmani, një figurë e njohur për angazhimin e tij politik, por edhe për përballjen me organet e drejtësisë. Vendimi…

    Gjykimi për Banjskën, dy të akuzuar nuk deklarohen sërish- tjetri thotë se nuk është fajtor

    Sot ka nisur vazhdimi i gjykimit në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas ndryshimit të trupit gjykues. Rasti që më herët udhëhiqej nga gjyqtari Arben Hoti, tash drejtohet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni si kryetar i trupit gjykues, me…