Aktakuzë ndaj gardianit të Burgut të Prishtinës për krime lufte: I torturonte të burgosurit deri në alivanosje dhe i linte pa ushqim

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj B.T. për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, shkruan KFVA.

Sipas aktakuzës, B.T., në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, në bashkëkryerje me gardianë të tjerë, gjatë periudhës 1998-1999, duke vepruar me dashje, ka shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur përkatësisht, kohës së luftës në Kosovë.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në mënyrë sistematike, ata i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri, në bashkëkryerje, i kishte lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra, i kishte kanosur seriozisht për jetën dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme dhe trajtimit ç’njerëzor, ata kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme.

“Këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës, Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…