Dita e Veteranit, Kurti: Ju lumtë pushka luftëtarë, ju zgjatë jeta veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar luftëtarët e lirisë dhe duke rikujtuar rezistencën e familjes Jashari më 30 dhjetor 1991 në Prekaz.

Kurti theksoi se veteranët e UÇK-së janë dëshmitarë të sakrificës për lirinë e Kosovës dhe se vepra e tyre mbetet themel i historisë së çlirimit dhe shtetndërtimit të vendit.

Postimi i plotë

Urime Dita e Veteranëve të gjithë luftëtarëve të lirisë, atyre që me armë në duar dhe me guxim në shpirt, vullnetin për çlirimin e Kosovës e jetësuan në realitet historik.

Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zuri vend në ditën e parafundit të vitit kalendarik, sepse në një ditë si kjo, më 30 dhjetor 1991, forcat policore serbe e kryen aksionin e parë ndaj familjes Jashari në Prekaz. Kishin kaluar vetëm tre javë prej kur Adem Jashari dhe gjysma e grupit të dytë të vullnetarëve që ishin stërvitur në Shqipëri, ishin kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Të dekonspiruar ndërkohë, policia shkoi ta arrestonte komandantin e togut të dytë të atij grupi vullnetarësh, Adem Jasharin, atë kohë 36 vjeçar.

Por policia nuk e kishte parashikuar që do të haste në rezistencë të armatosur nga tre bijtë e Shaban Jasharit, Rifati, Hamza dhe Ademi, të cilëve iu bashkuan në luftime kushërinjë e bashkëfshatarë, si dhe miq, shokë e luftëtarë të tjerë të organizuar bashkë me ta. Gjatë ditës së hënë të 30 dhjetorit 1991, Prekazi u shndërrua në arenë të përballjeve të shumëfishta dhe presioneve mes policisë serbe dhe mbi 200 personave nga Prekazi e fshatrat përreth që u mobilizuan ta ndihmonin familjen Jashari. Dy persona u plagosën, 14 familje u bastisën, 50 persona u ndaluan gjithë ditën kurse 27 prej tyre u arrestuan, mes të cilëve edhe Shaban Jashari.

Rifati, Hamza dhe Ademi arritën të dilnin nga rrethimi policor, duke e nxjerrë jashtë tij edhe projektin e kahmotshëm kombëtar për çlirimin e Kosovës. Shpirti lëvizës i familjes Jashari, baci Rifat, arriti të kthehej në Gjermani, kurse Hamza dhe Ademi kaluan në ilegalitet duke jetuar mes aksionesh e organizimesh luftarake gjatë gjashtë viteve të ardhshme. Familja Jashari do të vihej sërish para një sprove të këtillë mëngjesin e 22 janarit 1998, kur u sulmua sërish nga policia serbe dhe kur rezistoi sërish me luftë të armatosur. Kjo ngjau vetëm gjashtë javë para aktit final të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, kur pas një rezistence të paepur bashkë me dhjetëra të tjerë, Ademi dhe Hamza ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës.

Veteranët e luftës çlirimtare, janë shokët bashkudhëtarë dhe luftëtarët dëshmitarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Ju lumtë pushka luftëtarë, ju zgjatë jeta veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës, rrugë kjo në të cilën udhëtojnë të gjithë ata që angazhohen për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe faktorizimin e kombit tonë.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…