Aktakuzë ndaj 21 serbëve për masakrën e Reçakut – do të gjykohen në mungesë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 serbëve, pjesëtarë të  Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe MUP-it,  për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës, të pandehurit O.S., R.M., K.J., G.R., Ž.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.Š., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Č.A. dhe Z.J., akuzohen se më 15 janar 1999, gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.

Prokuroria bën të ditur se në periudhën 1998–1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, përkatësisht të Brigadës së Mekanizuar 243, Armatës së III-të (Korpusi i Prishtinës), si dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), kanë kryer trajtim çnjerëzor ndaj civilëve, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik

Sipas hetimeve, forcat serbe fillimisht e kanë rrethuar fshatin Reçak nga lokalitetet e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, për të vazhduar më pas me granatime nga distanca, kontrolle shtëpi më shtëpi dhe ndarje të civilëve. Gratë dhe fëmijët u dëbuan me forcë nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar u ekzekutuan.

Aktakuza thekson se të pandehurit kanë ushtruar dhunë të rëndë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.

Si pasojë e këtyre operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…