Përparim Rama e sheh si vizionar Lumir Abdixhikun, ia njeh meritë kandidimin e tij për Prishtinën: I duhet vendit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar për rezultatin e zgjedhjeve, ku LDK pësoi disfatë të thellë duke dalë parti e tretë.

Rama ka folur fjalë të mëdha për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda kësaj partie, duke e orientuar drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike, shkruan KFVA.

Rama tutje shkruan se Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që sipas tij ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend.

“Me dinjitet institucional e udhëhoqi procesin dhe me po aq dinjitet mbrëmë e pranoi rezultatin, duke treguar respekt për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve”, ka shkruar Rama.

“Vizionin e tij e dëshmoi edhe përmes zgjedhjes së njerëzve jashtë partisë për t’u shërbyer qytetarëve, duke përfshirë edhe kandidimin tim për kryetar të Kryeqytetit”, ka shkruar ai.

Postimi i Ramës:

Në një moment sfidues për demokracinë dhe etikën publike, Lumir Abdixhiku përfaqëson një model të lidershipit të përgjegjshëm. Ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e orientuar partinë drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike.

Investimi i tij në një program substancial dhe në një ekip përfaqësues dhe kompetent është një deklaratë e qartë se politika duhet të ndërtohet mbi ide, vlera dhe kapacitete reale.

Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend. Ai refuzoi nënçmimin e kundërshtarëve politikë, duke zgjedhur maturinë, respektin institucional dhe gjuhën e përgjegjshme si mjete të konkurrencës demokratike. Kjo qasje nuk është shenjë dobësie, por shprehje e një lidershipi të sigurt në vlera dhe të përkushtuar ndaj standardeve demokratike.

Ai mori përgjegjësi për proceset e rëndësishme me interes kombëtar, pa shmangie dhe pa populizëm, duke dëshmuar se politika e përgjegjshme kërkon llogaridhënie dhe guxim për të mbajtur barrën e vendimeve të mëdha.

Vizionin e tij e dëshmoi edhe përmes zgjedhjes së njerëzve jashtë partisë për t’u shërbyer qytetarëve, duke përfshirë edhe kandidimin tim për kryetar të Kryeqytetit, si tregues i bindjes së tij se përgatitja profesionale, integriteti dhe kompetenca janë mbi ngjyrat politike. Ky është një standard që e afron politikën me shtetin dhe jo me interesin e ngushtë partiak dhe është per tu marr shembull.

Me dinjitet institucional e udhëhoqi procesin dhe me po aq dinjitet mbrëmë e pranoi rezultatin, duke treguar respekt për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve.

Kjo qasje dëshmon vizionin, pjekurinë dhe progresin e tij si politikan. Ky është modeli i lidershipit që ndërton dhe që bashkon shoqërinë, dhe që i duhet vendit edhe në të ardhmen.

  • Shkrime të ngjashme

    Aksident fatal në rrugën Komoran-Carralevë, një i vdekur e katër të lënduar

    Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë. Një person ka vdekur e katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.…

    E zhdukur prej tetorit në Itali, gjendet trupi i pajetë i 35-vjeçares shqiptare: Ishte 40 kilometra larg shtëpisë

    Ishte zhdukur më 22 tetor, pasi ishte parë për herë të fundit në qendër të qytetit. Sot, të enjten më 15 janar, erdhi lajmi tragjik. Trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35 vjeçe, banore në Trento, u gjet rreth 40…