Një ditë pas zgjedhjeve, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të kandidojë edhe për një mandat si presidente, shkruan KFVA.
Osmani tha se pret formimin e institucioneve të reja, teksa ka paralajmëruar bisedime me të gjitha partitë shqiptare për mbështetje të kandidaturës së saj.
Ajo tha se synon të vazhdojë angazhimin politik, edhe nëse nuk zgjidhet presidente.
“Do të bisedoj me të gjitha partitë shqiptare, me partitë e pakicave jo serbe… Do të duhet që të ulemi të diskutojmë dhe të shihet nëse do të dëshirojnë që të dëgjohet vullneti i qytetarit i cili është i qartë. Në shumicën dërrmuese të matjeve shihet që diku 81% të qytetarëve dëshirojnë një mandat të dytë. Do të shohim nëse deputetët dëshirojnë një materializim të këtij vullneti. Këto janë çështje që do t’i diskutojmë…Angazhimin në politikë nuk do ta ndërprej, pavarësisht rezultatit”, ka deklaruar Osmani për REL.
Kreu i VV’së, Albin Kurti, i cili dje fitoi bindshëm zgjedhjet, ka folur edhe për çështjen e Presidentes.
Kurti tha se paraprakisht do të ulet të bisedoj me Osmanin, por edhe me partitë tjera.
“Na duhet të bisedojmë me opozitën për çështjen e presidentit, por paraprakisht duhet të bisedojmë për këto marrëveshjet ndërkombëtare, dhe ai do të jetë një test i rëndëishëm për bashkëpunimin qveri-opozitë në katër vjeçarin e ardhshëm”, ka deklaruar Kurti.






