BE: Presim formim të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës

Bashkimi Evropian pret konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës për të vazhduar angazhimin me autoritetet kosovare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kështu thuhet në një deklaratë të përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionares për Zgjerim, Marta Kos, një ditë pasi Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

“Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në”, u tha në deklaratën e dy zyrtareve evropiane.

BE-ja mirëpriti pjesëmarrjen e partive nga të gjitha komunitetet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke thënë se ky proces tregoi “përkushtim të fortë për parimet demokratike”.

“I bëjmë thirrje Kuvendit që sapo të formohet të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes”, u tha në deklaratë.

Kurti, pas fitores në zgjedhje, tha se pret bashkëpunim me partitë në opozitë për marrëveshjet prej mbi 800 milionë eurosh që lidhen me Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që në total pak vlerën e 6 miliardë eurove.

Kallas dhe Kos tha se ratifikimi i marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes janë në interesin e Kosovës dhe kjo, sipas tyre, duhet të ndodhë sa më shpejtë në mënyrë që popullata të përfitojë nga ky plan.

Dy zyrtaret evropiane në deklaratën e përbashkët përmendën edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga blloku evropian, duke theksuar se ai mbetet rruga e vetme për të dyja vendet për të bërë përparim drejt BE-së.

“Ne presim që të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut, të zbatohen pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë sapo kushtet ta lejojnë”, u tha në deklaratë.

Kosova dhe Serbia e arritën këtë marrëveshje më 2023, dhe pavarësisht se pakti nuk është nënshkruar, ajo konsiderohet obligative për palët nga Brukseli.

Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…