BBC shkruan për fitoren e Vetëvendosjes: Albin Kurtit i hapet rruga e mandatit të tretë

Lëvizja Vetëvendosje, ka shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve paraprake.

Vetëvendosje kishte fituar edhe zgjedhjet e mbajtura në shkurt, por pa arritur shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, ç`ka e la Kosovën pa institucione funksionale për disa muaj, shkruan BBC.

Ngërçi politik ngriti pikëpyetjen kryesore të këtyre zgjedhjeve të dyta brenda vitit, nëse votuesit do ta ndëshkonin Kurtin për bllokadën institucionale apo partitë opozitare që refuzuan bashkëqeverisjen me të. Rezultati duket se ka dhënë një përgjigje të qartë.

Edhe pse Vetëvendosje pritet të mos i ketë e vetme votat e mjaftueshme për të qeverisur pa partnerë, Kurti pritet të sigurojë mbështetje nga partitë e pakicave etnike, të cilat kanë të garantuara 20 nga 120 ulëset në Kuvend.

Kjo është fitorja e katërt radhazi e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare dhe shihet si një konfirmim politik pas dështimit për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kurti e cilësoi rezultatin si “fitoren më të madhe në historinë e vendit” dhe shprehu pritshmërinë që opozita këtë herë të bashkëpunojë.

Një sinjal i tillë erdhi edhe nga LDK-ja. Deputeti Arben Gashi deklaroi se, “kur votuesit flasin, rezultati nuk mund të injorohet”, duke bërë thirrje për reflektim dhe veprim të përgjegjshëm.

Në lojë janë interesa të mëdha. Për shkak të mungesës së një qeverie funksionale, Kosova ka humbur qindra milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.

Kurti ka përmendur gjithashtu marrëveshje të mundshme me Bankën Botërore, që do ta çonin shumën e investimeve mbi një miliard euro.

Një tjetër sfidë mbetet riparimi i marrëdhënieve me aleatët kryesorë ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-në.

Politikat e Kurtit ndaj institucioneve që shërbejnë komunitetin serb në Kosovë kanë shkaktuar tensione, veçanërisht në veri të vendit.

Edhe pse BE-ja ka rënë dakord të heqë masat ndëshkuese të vendosura në vitin 2023, ajo pritet të kërkojë një qasje më pragmatike në dialogun e normalizimit me Serbinë, thuhet në shkrimin e BBC.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…