Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar takimin e radhës për 29 dhjetor 2025, ku pikë e rendit të ditës është edhe përzgjedhja e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas përmbajtjes së letrës së publikuar ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, për këtë pozitë e ka propozuar Aleksandër Lumezin.
Sipas agjendës së takimit të KPK-së, në pikën e shtatë të rendit të ditës është “Propozimi i u.d. Kryeprokurorit të Shtetit për zgjedhjen e Zëvendës Kryeprokurorit të kësaj zyre”.
Ndërkaq, në letrën që Qalaj ia ka drejtuar KPK-së më 24 dhjetor, propozon Lumezin për këtë pozitë.
“ … me qëllim që të garantohet vazhdimësia institucionale, ushtrimi i plotë i kompetencave dhe përmbushja e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me legjislacionin në fuqi, propozoj caktimin e prokurorit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Aleksandër Lumezi, në pozitën e Zëvendës Kyreprokurorit të Shtetit”, thuhet në këtë shkresë.
Kujtojmë se Agron Qalaj është caktuar nga KPK në pozitën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit në mbledhjen e 22 dhjetorit, pas miratimit të kërkesës së Besim Kelmendit për dorëheqje nga kjo pozitë.
Lumezi kishte ushtruar pozitën e Kyreprokurorit të Shtetit nga qershori vitit 2015 deri në prill të 2022-ës.






