Kosovë Lajme

Pjesëtarët e Operacioneve Speciale të FSK’së përfundojnë trajnimin intensiv në xhunglat e Belizes

 

 

Komandanti i FSK’së, Bashkim Jashari, ka pritur në takim pjesëtarët e Operacioneve Speciale të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin në xhunglat e Belizes, si pjesë e programit përgatitor për operacione në mjedise të vështira dhe komplekse, në bashkëpunim me njësitë Parashutiste nga Ushtria e Mbretërisë së Bashkuar.

Në njoftimin e FSK’së thuhet se trajnimi kishte për qëllim zhvillimin e aftësive për mbijetesë, lëvizje taktike dhe operime efektive në kushte ekstreme.

“Gjatë stërvitjes, trupat u përballën me terren të dendur, klimë të ashpër dhe lodhje të vazhdueshme – elemente që testojnë çdo aspekt të përgatitjes fizike dhe mendore”, theksohet në njoftim.

Jashari i ka përgëzuar për sukseset e treguara në këtë trajnim sfidues.

“Ky aktivitet përforcoi disiplinën, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin mes pjesëtarëve, duke dëshmuar aftësinë e tyre për të vepruar me profesionalizëm dhe vendosmëri në çdo mjedis operacional”, përfundon njoftimi..