Mungesa e uniformave të reja për zyrtarët e Policisë së Kosovës është shndërruar në një çështje që ka zgjatur për vite me radhë, duke krijuar vështirësi operative dhe shqetësime të brendshme brenda institucioneve të sigurisë.
Pavarësisht se policia është institucioni kryesor i sigurisë së brendshme dhe zyrtarët e saj e mbajnë rolin e garantimit të rendit dhe sigurisë publike, furnizimi me uniforma për zyrtarët policorë ka hasur në pengesa të përsëritura gjatë proceseve të prokurimit.
Tenderët e shpallur për furnizimin me uniforma, në vlerë miliona euro janë anuluar ose pezulluar për shkak të mosrespektimit të procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik apo problemeve administrative, duke lënë policinë në situatë të vazhdueshme me uniforma të vjetruara.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me anulimin dy herë radhazi të tenderit për furnizimin me uniforma për Policinë e Kosovës.
Sipas Sindikatës, Policia e Kosovës gjatë realizimit të porosive për uniforma zakonisht furnizohet edhe me një sasi shtesë, dhe deri më tani ka pasur rezerva të caktuara në stoqet e depove.
Megjithatë, sipas kryetarit të Sindikatës së Policisë, Avdi Hotit gjendja aktuale me uniforma nuk është e kënaqshme, por pritet që furnizimi i zyrtarëve policorë të rifillojë së shpejti.
‘’Megjithatë, Policia e Kosovës, gjatë realizimit të porosive për uniforma, zakonisht furnizohet me një sasi shtesë, dhe deri më tani ka pasur rezerva të caktuara në stoqet e depove. Aktualisht, gjendja me uniforma nuk është e kënaqshme, por shpresojmë dhe besojmë se shumë shpejt do të fillojë furnizimi i zyrtarëve policorë me uniforma’’, tha Hoti.
Sindikata gjithashtu ka bërë thirrje që çështja e uniformave të mos shfrytëzohet për spektakël apo kauza politike, veçanërisht gjatë fushatave elektorale, duke theksuar se institucionet e sigurisë duhet të ruhet nga agjenda të tilla politike.
‘’Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje të gjithë atyre që së fundmi po e ngrisin këtë shqetësim vetëm gjatë kohës së fushatës elektorale, para zgjedhjeve nacionale, që të mos e shfrytëzojnë këtë çështje për spektakël apo për kauza politike. Institucioni i sigurisë duhet të kursehet nga agjenda të tilla politike’’, deklaroi Hoti.
Si Sindikatë, ata falënderojnë mediat e shkruara dhe elektronike që gjithmonë kanë raportuar drejt dhe me kohë shqetësimet dhe kërkesat e Policisë së Kosovës për përmirësimin e kushteve të punës.
‘’ Si Sindikatë, falënderojmë mediat tona të shkruara dhe elektronike, të cilat gjithmonë, për çdo shqetësim dhe kërkesë të Policisë së Kosovës në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës, kanë raportuar drejt dhe me kohë shqetësimet e Sindikatës së Policisë së Kosovës’’, përfundon Hoti.






