Zotimet për arsim, Abdixhiku: Një mijë euro pagë për mësimdhënësit – 80 çerdhe të reja

 

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me mësimdhënës, ku ka theksuar rolin e tyre në edukimin e brezave të rinj dhe rëndësinë e arsimit si themel i zhvillimit të vendit.

Abdixhiku ka deklaruar se mësimdhënësit, pavarësisht sfidave, lodhjes dhe mungesës së vlerësimit institucional ndër vite, kanë vazhduar të kryejnë misionin e tyre, duke e cilësuar shkollën si hapësirën ku formohen dija, karakteri dhe e ardhmja e Kosovës.

Në këtë kuadër, ai ka prezantuar zotimet e LDK-së për sektorin e arsimit, duke përfshirë rritjen e pagës në 1000 euro për secilin mësimdhënës, ndërtimin e 80 çerdheve të reja, si dhe zbatimin e mësimit tërëditor me shujta të ngrohta, aktivitete sportive dhe qëndrim tetëorësh në shkollë.

Po ashtu, Abdixhiku ka bërë të ditur se programi i LDK-së parasheh futjen e kodimit dhe inteligjencës artificiale si lëndë mësimore në shkolla, duke theksuar se arsimi është prioritet i partisë dhe se modeli i zbatuar në Prishtinë synohet të shtrihet në të gjithë Kosovën.

Postimi i plotë:

Për mësimdhënësit dhe mësimin.

Takuam mësimdhënësit. Ata që mbajnë mbi supe barrën më të rëndë të këtij vendi: edukimin e brezave të rinj. Ata që, edhe kur janë nënvlerësuar, të lodhur e shpesh të lënë pas dore nga politika, nuk e kanë lëshuar kurrë misionin e tyre. Sepse shkolla nuk është thjesht një ndërtesë, por vendi ku formohet karakteri, dija dhe e ardhmja e Kosovës.

Prandaj, zotimet tona për arsimin janë të qarta dhe të panegociueshme.

💶 Pagë 1000 euro për secilin mësimdhënës, si respekt real për profesionin dhe dinjitetin e tyre.

🏫 Ndërtimin e 80 çerdheve të reja, që fëmijët të kenë fillimin e duhur dhe prindërit mbështetjen që u mungon sot.

🏛️ Mësimin tërëditor, për shkollë më cilësore, për barazi më të madhe dhe për zhvillim të plotë të nxënësve. Shujta të ngrohta; sport e 8 orë në shkollë.

🤖 Dhe futjen e kodimit dhe inteligjencës artificiale si lëndë në shkolla, sepse Kosova nuk duhet të përgatitet për të djeshmen, por për botën e së nesërmes.
Arsimi është themeli.

Dhe aty fillon çdo ndryshim i vërtetë.

LDK dhe ekipi ynë janë të vetmit që kanë sot arsimin si prioritet. Me shembuj konkret nga Prishtina; me model për gjitjë Kosovën. 🇽🇰

  • Shkrime të ngjashme

    Kurti, Hamza e Abdixhiku dalin me vota minus nga rinumërimi – një kandidat i VV’së 228 vota më pak

    Në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave, që erdhi pas mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë. Sipas KQZ’së, nga rinumërimi dikush ka dalë mbi 220 vota më pak. Sipas rezultateve nga 227 vendvotimet e…

    “Pezullim i përkohshëm”, ambasada amerikane flet pas vendimit për vizat imigruese

    Departamenti amerikan i Shtetit të mërkurën dha lajmin se ka marrë vendim për pezullimin e përpunimit të vizave të imigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë edhe Kosovën. Ambasada amerikane ka dhënë shpjegime. Pas publikimit nga presidenti amerikan, Donald Trump,…