Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sulmi ndaj Kanalit të ujit Ibër–Lepenc më 29 nëntor 2024, ishte një akt i qëllimshëm sabotimi i organizuar nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit, me synim destabilizimin e Kosovës dhe eksternalizimin e krizës së brendshme politike në Serbi.
Në një postim në Facebook, Kurti ka pubklikuar një grafikon ku tha se përveç dëmeve materiale dhe përpjekjeve për të shkaktuar kolaps në shërbimet esenciale, sulmi u shoqërua edhe me një operacion të koordinuar të influencës së fshehtë, përmes të cilit u tentua deformimi i fakteve dhe përmbysja e narrativës, duke e paraqitur Kosovën si përgjegjëse për sulmin.
Ai theksoi se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj tre shtetasve serbë, dy prej të cilëve pjesëtarë të strukturave ilegale të ndërlidhura me institucionet e sigurisë së Serbisë, konfirmon se sulmi nuk ishte i izoluar. Sipas Kurtit, ekspertiza ndërkombëtare forenzike ka konstatuar se eksplozivi i përdorur kishte origjinë ushtarake, çka përputhet me vlerësimet e hershme të institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Kurti lidh kohën e sulmit me situatën e brendshme në Serbi, duke theksuar se ai përkon me përshkallëzimin e protestave qytetare pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Sipas tij, regjimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i përballur me rrezik real për stabilitetin e tij politik, ka zgjedhur ta zhvendosë krizën drejt Kosovës.
“Sulmi ndaj kanalit të ujit në Varagë të Zubin Potokut synonte jo vetëm futjen e Kosovës në krizë energjetike dhe të shërbimeve esenciale, por edhe krijimin e pasigurisë te qytetarët në komunat veriore të banuara me shumicë serbe”, shkroi Kurti.
Ai shtoi se pas këtij sulmi është vërejtur ngurtësim i reagimit qytetar në Serbi dhe ndalje e përshkallëzimit të protestave, çka sipas tij dëshmon që ky ishte një nga qëllimet kryesore të pushtetit në Beograd.
Duke e krahasuar këtë veprim me praktikat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Kurti tha se Serbia vazhdon të përdorë modele të vjetra të prodhimit të krizave, duke gjeneruar tensione përreth saj për të ruajtur pushtetin e brendshëm, ndërsa metodat hibride ruse mbeten një “doracak reference” për destabilizimin e rajonit.
Ai rikujtoi se pas sulmit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, edhe ky sulm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës përbën një tjetër akt të kryer nga aktorë shtetërorë të Serbisë në bashkëpunim me struktura parashtetërore, përfshirë rrjetin kriminal-terrorist të Millan Radoiçiqit.
Në fund, Kurti u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që këto zhvillime të mos trajtohen si incidente të izoluara, por si pjesë e një modeli sistematik të destabilizimit të sponsorizuar nga shteti serb, duke kërkuar masa konkrete sanksionuese për të parandaluar përsëritjen e tyre.






