Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion policor në Prishtinë, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar dhe sekuestrimin e një veture që ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet suedeze.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është zhvilluar nga njësitet e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve të Kryeqytetit. Gjatë veprimeve policore, është lokalizuar dhe sekuestruar vetura e dyshuar, e cila ishte shpallur në kërkim nga autoritetet suedeze dhe rasti ka kaluar për trajtim të mëtejmë tek njësitet kompetente.
Po ashtu, gjatë kontrollit ndaj personit të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri si dhe municion.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.






