Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vdekjes së këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi, i njohur ndryshe si Shemi. Ai ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit dhe adhuruesit e muzikës së tij, duke e cilësuar Shemin si një artist që tejkalonte kufijtë e skenës dhe që ishte pjesë e shpirtit të një kohe, një brezi dhe një qyteti të tërë.
Rama ka shkruar se lajmi për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit ka sjellë dhimbje të madhe, duke theksuar se ai ishte një nga zërat më të paharruar të grupit legjendar Ilirët.
Ai theksoi se Shemi ishte një simbol i një periudhe ku muzika rock kishte rolin e rebelimit, shpresës dhe lirisë, duke pasqyruar shpirtin e kryeqytetit të asaj kohe.
Kryetari Rama ka vlerësuar se, megjithëse humbja është e madhe, gjurma që Shemi la në historinë e muzikës shqiptare dhe në kujtesën e kryeqytetit do të mbetet e përjetshme.






