Hamza viziton bizneset në Gjakovë: Do të ndryshojmë ligjin për tatimin në pronë dhe do të ulim çmimin e energjisë elektrike

 

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar disa biznese në qytetin e Gjakovës, ku është takuar me përfaqësues të sektorit privat dhe punëtorë.

Gjatë vizitës te disa biznese atje, Hamza ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për bizneset vendore dhe ka theksuar rolin kyç të tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Si Kryeministër, do të jem partner dhe aleat i fuqishëm i sektorit privat, me investime, grante dhe mbështetje institucionale, në mënyrë që bizneset të përmirësojnë kushtet e punës dhe të rrisin pagat për punëtorët e sektorit privat,” ka deklaruar Hamza.

Ai ka bërë edhe zotime konkrete në favor të bizneseve dhe qytetarëve. Së pari, Hamza ka paralajmëruar ndryshimin e ligjit për rritjen e tatimit në pronë për objektet afariste, të miratuar nga qeveria aktuale.

“Ligjin për rritjen e tatimit në pronë do ta ndryshojmë, në mënyrë që barra financiare të mos rëndojë mbi bizneset,” ka theksuar ai.

Po ashtu, Hamza ka njoftuar se qeveria e tij do të heqë TVSH-në për energjinë elektrike, me qëllim të uljes së faturave për qytetarët dhe bizneset.

“Do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, që qytetarët dhe bizneset të paguajnë fatura më të ulëta të energjisë,” ka shtuar Hamza.

Kryetari i PDK-së ka bërë të ditur se ka nisur një tur nëpër qytetet e Kosovës, për t’u takuar drejtpërdrejt me qytetarë dhe biznese, si dhe për të shpalosur programin e tij për punë, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik.

 

  • Shkrime të ngjashme

    Policia has në mbi 350 automjete të paregjistruara vetëm në dy javët e para të janarit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm brenda dy jave, ka hasur 353 automjete të paregjistruara vetëm në rajonin e Prishtinës, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Sezoni Dimëror”. Sipas Policisë, kjo paraqet problem serioz për sigurinë në trafik,…

    Rinumërohen 216 vendvotime, në 15 komuna përmbyllet procesi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave. Sipas njoftimit, deri tash në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 216 vendvotime nga 914 vendvotime. Komunat në të cilat ka përfunduar…