Trump nënshkruan ligjin: Kosova e Serbia të zbatojnë marrëveshjet drejt njohjes reciproke

 

 

Pasi Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare kaloi në dy dhomat e Kongresit të SHBA-së, edhe presidenti Donald Trump e nënshkroi këtë dokument të rëndësishëm që ndan mbi 900 miliardë dollarë në sektorin e mbrojtjes. Përpos kësaj, edhe Kosova ka një vend në këtë ligj kyç, përcjell Gazeta KFVA.


Fillimisht kishte raportime për këtë iniciativë, mirëpo nuk ishte e qartë nëse legjislacioni do të kalonte fillimisht në Kongres e pastaj në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Trump e nënshkroi mbrëmë këtë ligj, ku Ballkani Perëndimor gjithashtu e ka pjesën e vet.

Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, pjesët kryesore nga ky ligj kërkojnë që SHBA-ja të angazhohet për normalizim të marrëdhënieve me qëllim njohjen reciproke, duke u bazuar në Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023. Kongresi i SHBA-së kërkon që Kosova dhe Serbia të fillojnë zbatimin e pikave të marrëveshjes.

Më tej, ky ligj kërkon nga SHBA-ja që të fillojë me iniciativa që forcojnë marrëdhëniet mes palëve, duke refuzuar çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.

Gjithashtu, ky ligj determinon forcimin e mbështetjes amerikane për demokracitë e Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Europian

Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare po ashtu mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike.

Administrata Trump është më pak e fokusuar në çështjet e Europës dhe duket se përqendrimin po e zhvendos tërësisht drejt Azi-Paqësorit, kështu që edhe pikat brenda këtij ligji jo domosdoshmërisht do të zbatohen ose do t’u jepet rëndësi e veçantë. Megjithatë, fryma brenda Kongresit reflektohet në këtë ligj, veçanërisht për mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Europian.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…