Kërkohet paraburgim për ish-ministrin Ismajli dhe 6 të tjerët, dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit miliona euro

 

 

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe gjashtë personave të tjerë, të dyshuar për vepra të rënda të korrupsionit.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit M.D., J.M., F.I., B.D., Sh.T., N.K. dhe G.L., duke vepruar në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi nga data 20 shkurt 2023 deri më 18 dhjetor 2025, kanë ndërmarrë veprime me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm personal.

Në kërkesën e PSRK-së thuhet se i pandehuri M.D., në emër të F.I., në kundërshtim me ligjin, ka parashtruar ankesë për ndryshim të një vendimi përfundimtar për shpronësim të pronës, ndonëse afati ligjor kishte kaluar për më shumë se tetë vjet. Megjithatë, kjo rrethanë nuk është kundërshtuar nga i pandehuri J.M., as nga Qeveria e Kosovës, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore, duke mundësuar që rasti të përfundojë me marrëveshje gjyqësore, sikurse edhe disa raste të tjera.

Si pasojë e këtyre veprimeve, vetëm në rastin e fundit, sipas Prokurorisë, buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm mbi 220 mijë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm ende nuk është përcaktuar, por dyshohet se arrin vlera milionëshe.

PSRK-ja dyshon se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, ushtrim i ndikimit dhe deklarim i rremë.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…