Bangladeshi në flakë: Protestuesit sulmojnë selitë e mediave kryesore, shpëtohen gazetarët

 

 

Protestuesit kanë sulmuar selinë e dy gazetave kryesore në Bangladesh, mes trazirave të gjera pas vdekjes së një aktivisti politik.

Një turmë protestuesish i vuri zjarrin zyrave të gazetës ditore në gjuhën bengali Prothom Alo dhe gazetës ditore në anglisht Daily Star në kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka, duke lënë gazetarët dhe pjesën tjetër të stafit të bllokuar brenda.

Një nga gazetarët e Daily Star, Zyma Islam, shkroi në Facebook: “Nuk mund të marr më frymë. Ka shumë tym.”

Të dyja gazetat ndaluan përditësimin e edicioneve online pas sulmeve dhe nuk publikuan as versionin e tyre në print të premten.

Trupat u vendosën pranë ndërtesës së Star dhe zjarrfikësit u detyruan të shpëtonin gazetarët e bllokuar brenda. Zjarri u vu nën kontroll herët të premten.

Sharif Osman Hadi, një figurë e njohur e protestave studentore dhe politike, ndërroi jetë të enjten pas gjashtë ditësh në aparate mbështetëse të jetës, pasi u qëllua nga persona të paidentifikuar në Dhaka. Vdekja e tij ndezi protesta masive në kryeqytet, ku qindra qytetarë u mblodhën në Sheshin Shahbagh pranë Universitetit të Dhakës.

Protestuesit akuzuan gazetat për lidhje të supozuara me Indinë dhe afërsi me udhëheqësin e përkohshëm të vendit, fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus.

Kryengritja e vitit të kaluar, e cila nisi nga studentët kundër sistemit të kuotave në administratë, solli mbi 1 mijë e 400 viktima sipas OKB-së dhe u cilësua si revolucioni i parë i “Gjeneratës Z”. Pas dorëheqjes së ish-kryeministres Sheikh Hasina në gusht 2024, Yunus mori drejtimin e përkohshëm të vendit.

Autoritetet kanë identifikuar të dyshuarit për atentatin ndaj Hadit, duke thënë se ekzekutori ka gjasa të ketë ikur në Indi.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…