Mbledhja e KQZ-së, përplasje mes VV-së dhe PDK-së për votimin e të burgosurve në Hagë

 

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot pati përplasje mes anëtarëve të VV-së dhe PDK-së në KQZ, e më pas edhe mes kryesuesit të KQZ-së dhe anëtarit të VV-së, lidhur me çështjen e votimit të personave të burgosur jashtë vendit.

Anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi, propozoi që të krijohen procedura të veçanta për votimin e të burgosurve jashtë Kosovës, përfshirë edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, duke propozuar që të hapet një qendër e veçantë për votimin në Hagë.

Në anën tjetër, anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, u shpreh kundër këtij propozimi, duke theksuar se çështja e Hagës nuk kërkon hapje të veçantë të vendvotimit.

Ai ka thënë se nuk mund të organizohet procesi i votimit në Hagë, sepse Gjykata Speciale nuk ka lejuar dërgimin e komisionerëve partiak atje.

“Nuk është mirë me gënjy publikisht, po shpif publikisht”, i tha Krasniqi-Elshanit.

“Je qëllimshëm ka shpif”, vazhdoi ai.

Debati u ashpërsua edhe më tej, kur Krasniqi deklaroi se i njëjti parim duhet të vlejë edhe për raste të tjera jashtë vendit, përfshirë Kumanovën.

“Vëllai im është i burgosur në Kumanovë, tash unë kërkoj edhe kam kërkuar, që me këqyr secilin rast ku lejohet. Nuk është e rregullume me rregullore, nuk është mirë me gënjy publikisht”, tha anëtari i VV-së në KQZ.

“Nuk ka të bëjë me rregullore, në rregullat zgjedhore askund nuk potencohet. Nuk dërgojmë komisionerë, sepse nuk po na lejon Gjykata. Gjykata Speciale nuk është duke leju me dërgu komisionerë të partive. E kemi kërku me dërgu, por nuk lejohet”, i tha Elshani i PDK-së.

Sipas Krasniqit të gjithë kanë të drejtën e votës, si një i burgosur në Hagë, e si një diku në një vend tjetër, duke marrë shembull Australinë.

“Je ka mundohesh me ja nxjerrë dikujt me ja mundësu e dikujt jo. Si Rexhep Selimi si Hashim Thaçi, si kushdo që është në Australi, e ka të drejtën e votës”, tha Kransiqi i VV-së.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi akuzoi anëtarin e VV-së në KQZ, Alban Krasniqin për manipulim të çështjes, duke theksuar se KQZ-ja duhet të veprojë vetëm në bazë të kornizës ligjore dhe rekomandimeve institucionale.

“Krejt këto fjalë ça i ke thanë, je tu u munu me manipulu”, i tha Radoniq, Kransiqit.

  • Shkrime të ngjashme

    Bibiliotekisti merrte pagë pa shkuar në punë, arrestohet edhe Drejtori i shkollës – dyshohet se dëmtuan buxhetin mbi 19 mijë euro

    Policia e Kosovës ka arrestuar Drejtorin e një shkollë në Gjilan, si dhe një zyrtar në po të njëjtën shkollë. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitave dhe se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 19 mijë euro, shkruan…

    Fillon zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë, çka parashihet në fazën e parë

    Nga mesanata, kanë filluar së zbatuari Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet. Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka sqaruar se në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me material informues…