Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ndarë një video në Facebook, nga ‘’takimet intensive’’ me liderët evropianë, duke thënë se të njëjtat sollën rezultate konkrete, lidhur me heqjen e masave nga ana e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Osmani ka falënderuar liderët e BE-së, për vlerësimin e angazhimit të palodhur të Kosovës.
‘‘Takimet intensive gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel sollën rezultate konkrete për vendin tonë. Më në fund u mor vendimi që të hiqen masat e padrejta të vendosura ndaj Kosovës.
Falënderoj përzemërsisht liderët e Bashkimit Evropian, si dhe të gjithë partnerët tanë, për vlerësimin e angazhimit të palodhur të Kosovës’’, ka shkruar ajo.
Gjatë ditës së djeshme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian do t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës në fund të janarit. Këto masa u vendosën ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veri.
Presidentja Osmani këtë lajm e dha pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ku ka thënë se ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen tërësisht në janar.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”, ka thënë ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka konfirmuar se pas heqjes së pjesshme të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, 205 milionë euro pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm.






