Elozheja e Edona Llalloshit për Albin Kurtin që qet pushkë nuk kaloi pa kritika edhe nga vetë figurat kryesore të Vetëvendosjes, që nuk patën se si të mos distancohen nga ajo performancë e keqe në një tubim në Cyrih të Zvicrës, shkruan Gazeta KFVA.
”Nuk jam djalë për me u koritë e, jam Albini pushkë me qitë e”, ia thoshte këngës Llalloshi në tubimin e VV-së me mërgimtarë, sekuencë e shëmtuar që shpejt do të merrte dhenë.
Por, pasi e panë se si kjo pjesë e keqe u bë virale dhe e nxirrte VV-në si partia goxha të prapambetur, figurat kryesore si duket menjëherë vepruan për ta sanuar dëmin.
”Unë mendoj se… bile edhe Kurti, sepse e njoh shumë mirë, ai e ndan mendimin se për së gjalli njerit nuk i qitet kangë”, tha Konjufca në Pressing T7 për performancën e ish-deputetes Llalloshi.
Edhe Albulena Haxhiu, kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit për mbi 50 herë, nuk u pajtua me mënyrën se si iu kushtua kjo këngë Albin Kurtit.
“Unë kam qenë atë tubim në Cyrih, ishte hera e parë që e kam dëgjuar, por unë jam prej atyre njerëzve që mendoj se njerëzve të gjallë nuk duhet t’i këndohet, nuk duhet t’u kushtojmë këngë”, tha ajo.
Kjo këngë, e cila është e dedikuar për figurën e Çun Mulës të shekullit XIX, u shëmtua me performancën patetike për liderin e VV-së, por që tash po refuzohet edhe nga vetë partia./KFVA/






