Supremja shpall të paligjshme nenet që obligojnë pensionistët të lajmërohen në Departamentin e Pensioneve

 

 

Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshme nenet që obligojnë pensionistët të lajmërohen në Departamentin e Pensioneve, shkruan KFVA.

Vendimi ka ardhur pas padisë që ka ushtruar E.SH kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

“Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 4 paragraf 2, i Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve. Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 5 paragraf 1, 2, 3 dhe 4 i këtij Udhëzimi”, theksohet në njoftim.

Supremja ka konstatuar se paragrafët ku parashihen pasoja për pensionistët, siç është ndalimi i pensionit, nuk është në harmoni me ligjin dhe si të tillë janë të paligjshëm.

“Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur. Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se aktet nënligjore vlejnë vetëm sa kohë janë në pajtim me ligjin, ndërsa një rregullim i tillë nënligjor, i cili prek në mënyrë materiale të drejtat e qytetarëve, siç trajtohet pensioni, mund të bëhet vetëm me ligj dhe jo me akt nënligjor”, thuhet në bhiftun,

Kompetenca e Ministrisë, sipas Supremes, kufizohet vetëm në rregullimin e mënyrës teknike të suspendimit nga pagesa, dhe assesi në krijimin e detyrimeve, afateve apo pasojave materiale që nuk i parasheh ligji.

“Ligji Nr. 04/L-131 Për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, nuk përmban asnjë element që do t’i jepte Ministrisë kompetencë të krijojë afate materiale, të vendosë humbje të pensioneve ose të ndryshojë statusin e përfituesit në rast mos-lajmërimi. Suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit, dhe jo e para. Për këtë arsye, Gjykata Supreme konstaton se dispozitat e UA nr. 05/2015, të cilat e trajtojnë mos-lajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe e shoqërojnë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme”, përfundon njoftimi.

 

 

  • Shkrime të ngjashme

    Udhëheqësja e opozitës venezueliane ia dhuron Trumpit Nobelin për Paqe

    Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, ia ka dhuruar medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqe presidentit Donald Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se kjo ishte një shenjë mirënjohjeje për angazhimin e tij…

    Bibiliotekisti merrte pagë pa shkuar në punë, arrestohet edhe Drejtori i shkollës – dyshohet se dëmtuan buxhetin mbi 19 mijë euro

    Policia e Kosovës ka arrestuar Drejtorin e një shkollë në Gjilan, si dhe një zyrtar në po të njëjtën shkollë. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitave dhe se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 19 mijë euro, shkruan…