Përurohet ura për këmbësorë mbi Ibër, Kurti kërkon hapjen e asaj kryesore

 

 

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore është përuruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, e cila lidh jugun me veriun e Mitrovicës.

Në ceremoninë e përurimit mori pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si dhe kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Gjatë përurimit, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se në çdo takim me përfaqësuesit ndërkombëtarë e përsërit qëndrimin se ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për lëvizje të lirë.

“Në çdo takim e përsërisim qëndrimin tonë se ura duhet të jetë e hapur. Kemi 77 ura mbi lumin Ibër, disa prej tyre edhe në Mal të Zi e Serbi. E vetmja urë ku qëndrojnë vazhdimisht persona të uniformuar është ura kryesore mbi Ibër. Nuk besoj se ka nevojë për pjesëtarë të KFOR-it”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se urat mbi Ibër janë të Mitrovicës dhe të qytetarëve të saj, duke shtuar se qëllimi është rritja e bashkëpunimit, shkëmbimit tregtar dhe lëvizjes së lirë ndërmjet dy pjesëve të qytetit.

“Kjo urë nuk është kundër askujt. Është për bashkëpunim dhe për afrimin e qytetarëve. Këtë çështje do ta zgjidhim me bashkëbisedim të hapur dhe dialog të sinqertë. Besoj se do të vijë dita kur edhe ura kryesore do të jetë e hapur”, tha Kurti.

Ndërtimi i urës së re për këmbësorë, krahas asaj qendrore mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe veriun e banuar kryesisht me serbë, është realizuar pas një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy komunave, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Ndërkohë, në muajin gusht të këtij viti  pak para zgjedhjeve lokale ishte përuruar edhe ura për automjete.

  • Shkrime të ngjashme

    Faton Peci emëron nënkryetar të Mitrovicës të dënuarin për vjedhje të votave

    Komuna e Mitrovicës është bërë me nënkryetar të ri. Me propozim të kryetarit Faton Peci, në këtë pozitë është emëruar Enis Osmani, një figurë e njohur për angazhimin e tij politik, por edhe për përballjen me organet e drejtësisë. Vendimi…

    Gjykimi për Banjskën, dy të akuzuar nuk deklarohen sërish- tjetri thotë se nuk është fajtor

    Sot ka nisur vazhdimi i gjykimit në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas ndryshimit të trupit gjykues. Rasti që më herët udhëhiqej nga gjyqtari Arben Hoti, tash drejtohet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni si kryetar i trupit gjykues, me…