I dyshuari për sulmin me armë në Australi akuzohet për 15 vepra vrasjeje – veprat iu komunikuan pranë shtratit në spital

 

 

Naveed Akram, i dyshuari i mbijetuar nga sulmi masiv me armë zjarri të dielën në Bondi Beach në Sidnei të Australisë, është akuzuar për 59 vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një akuzë për kryerjen e një akti terrorist, sipas Policisë së Uellsit të Ri Jugor (New South Wales).

Sulmuesi tjetër, babai i tij Sajid Akram, 50 vjeç, u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në vendngjarje.

Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulm, i cili kishte në shënjestër komunitetin hebre të Australisë gjatë një aktiviteti që shënonte natën e parë të Hanukës.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës me armë zjarri në shtetin australian që nga viti 1996, raporton bbc.

Akram përballet gjithashtu me 40 akuza për shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore me qëllim vrasjeje, si dhe me një akuzë për shfaqje publike të simbolit të një organizate terroriste të ndaluar.

Ai u plagos rëndë gjatë incidentit të së dielës dhe seanca e parë gjyqësore u mbajt pranë shtratit të tij në spital, njoftoi gjykata lokale e Uellsit të Ri Jugor.

Çështja është shtyrë deri në prill të vitit 2026, shtoi gjykata.

Njëzet persona të plagosur në sulm vazhdojnë të jenë të shtruar në spitale në Sidnei, ndërsa një person mbetet ende në gjendje kritike.

Policia e ka cilësuar sulmin si një incident terrorist, ndërsa kryeministri australian, Anthony Albanese pohoi se të dyshuarit duket se kanë qenë “i motivuar nga ideologjia e grupit Shteti Islamik”.

Policia njoftoi se në automjetin e përdorur nga sulmuesit janë gjetur flamuj “artizanalë” të Shtetit Islamik dhe mjete shpërthyese të improvizuara (IED).

  • Shkrime të ngjashme

    Policia has në mbi 350 automjete të paregjistruara vetëm në dy javët e para të janarit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm brenda dy jave, ka hasur 353 automjete të paregjistruara vetëm në rajonin e Prishtinës, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Sezoni Dimëror”. Sipas Policisë, kjo paraqet problem serioz për sigurinë në trafik,…

    Rinumërohen 216 vendvotime, në 15 komuna përmbyllet procesi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave. Sipas njoftimit, deri tash në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 216 vendvotime nga 914 vendvotime. Komunat në të cilat ka përfunduar…