Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri një paralele midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Adolf Hitlerit, duke paralajmëruar se ambiciet e Kremlinit nuk do të ndalen vetëm te Ukraina, shkruan Politico.
Duke folur në një konferencë partie të Unionit Kristian Social të Bavarisë, i cili është i lidhur ngushtë me partinë e tij Demokristiane, Merz kujtoi marrëveshjen historike me të cilën Aleatët ia ceduan Sudetenlandin udhëheqësit nazist.
“Ashtu si Sudetenland nuk ishte i mjaftueshëm në vitin 1938, Putini nuk do të ndalet”, tha Merz, duke shtuar se Hitleri vazhdoi zgjerimin e tij në të gjithë Evropën edhe pas kësaj. “Nëse Ukraina bie, ai nuk do të ndalet këtu”, theksoi kancelari gjerman. “Kjo është lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës – dhe kundër Evropës”.
Sipas tij, qëllimi i Putinit është “ndryshimi themelor i kufijve në Evropë, rivendosja e Bashkimit të vjetër Sovjetik brenda kufijve të tij”.
Kjo deklaratë vjen në një kohë të aktiviteteve të shtuara diplomatike. Merz, së bashku me Presidentin Francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrin Britanik Keir Starmer, po udhëheq përpjekjet evropiane për të rritur mbështetjen për Kievin. Zyrtarët gjermanë, britanikë dhe francezë thuhet se po diskutojnë propozimet për t’i dhënë fund luftës këtë fundjavë, përpara një takimi kyç të udhëheqësve të planifikuar për të hënën.
Një plan paqeje me 20 pika i mbështetur nga SHBA-të është gjithashtu duke u përgatitur, i cili thuhet se përfshin lëshime territoriale nga pala ukrainase. Një nga propozimet që po diskutohet është që rajoni i Donbasit të bëhet një zonë e tregtisë së lirë ku kompanitë amerikane mund të operojnë lirisht.






