Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot në Hagë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe bashkëluftëtarët e tyre, duke thënë se i ka gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe me moral të lartë.
Hamza theksoi se, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen, ata vazhdojnë të qëndrojnë të fortë dhe me kokën lart, duke mos e humbur besimin në drejtësi.
“Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot janë plot entuziazëm për bashkimin tonë”, ka deklaruar Hamza.
Ai tha se këto padrejtësi i ndien personalisht, si qytetar i Kosovës, si mik dhe si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, duke shtuar se procesi gjyqësor tashmë po shkon drejt fundit.
“Presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare”, u shpreh Hamza.
Sipas tij, Kosova po i pret bijtë e saj me krenari, ndërsa liria, siç tha ai, “ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi”.
“Nga Haga, iu premtova se do t’i gëzojmë më 28 dhjetor”, përfundoi Hamza.






